
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot ka takuar strukturat e partisë në Fushë Kosovë, në kuadër të mobilizimit për fushatën zgjedhore.
“Sot, takuam strukturat tona në Fushë Kosovë, si thirrje mobilizuese për fushatën elektorale që kemi para”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se në takim është diskutuar për organizimin dhe angazhimin e nevojshëm për zgjedhjet.
“Me aktivistë, këshilltarë e veprimtarë të palodhur, folëm për organizimin, përgjegjësinë dhe energjinë që kërkon ky moment”, deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, fitoret politike ndërtohen përmes punës së vazhdueshme me qytetarët.
“Fitoret nuk ndërtohen në ditën e zgjedhjeve, por në punën e përditshme, derë më derë, zemër më zemër”, tha ai.
Në fund, Abdixhiku deklaroi se “Fushë Kosova është gati” dhe bëri thirrje për punë dhe angazhim të përbashkët.



