
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar kandidatët e partisë së tij në Mitrovicë, qytet që e cilësoi si simbol të qëndresës, industrisë dhe kulturës.
“Në qytetin e qëndresës, barrës së madhe, të minatorëve, industrisë, kulturës e muzikës”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se Mitrovica ka mbajtur shumë barrë ndër vite dhe meriton më shumë vëmendje institucionale.
“Një qytet me kaq histori, energji e potencial, nuk duhet të mbetet në pritje”, u shpreh ai.
Sipas Abdixhikut, gjatë takimit u fol për projekte zhvillimore dhe për nevojën e investimeve ekonomike.
“Folëm për zhvillimin ekonomik, për punën dhe për një Kosovë që nis t’i kryejë punët që i ka lënë pezull për shumë gjatë”, tha ai.
Në Mitrovicë, LDK garon me kandidaten Brikena Muharremi me numër 32, kandidatin Naim Hajra me numër 85 dhe kandidatin Oltion Ahmeti me numër 96.



