
Të paktën 64 persona kanë humbur jetën dhe mbi 179 të tjerë janë lënduar pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë në provincën e Toledos, në Spanjë.
Në dy trenat ndodheshin gjithsej 544 udhëtarë. Sipas raportimeve të fundit, 15 nga të lënduarit janë në gjendje shumë të rëndë. Bilanci mund të rritet, pasi ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet.
Aksidenti ndodhi të mërkurën, rreth orës 08:54, mes qyteteve Mora, Orgaz dhe Urda. Një tren i kompanisë shtetërore Renfe dyshohet se e goditi nga pas trenin e kompanisë Iryo, i cili ishte ndalur në binarë.
Si pasojë e përplasjes, disa vagonë dolën nga shinat dhe ranë në një humnerë. Shkaqet e aksidentit po hetohen.
Operatori hekurudhor Adif ka pezulluar qarkullimin në linjën e shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzi.
Në trenin e Renfes udhëtonin 397 persona, ndërsa në atë të Iryos ndodheshin 147 udhëtarë. Autoritetet kanë aktivizuar njësinë ushtarake të emergjencave dhe kanë ngritur qendra për pritjen e të lënduarve dhe familjarëve të viktimave.



