
Analisti Xhevdet Pozhari ka komentuar intervistën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke veçuar dy mesazhe që, sipas tij, dolën në pah nga paraqitja e tij.
Pozhari tha se Abdixhiku pranoi se, për shkak se ishte relativisht i ri në parti dhe u zgjodh shpejt kryetar, kishte toleruar edhe sjellje që sot nuk do t’i pranonte.
“Sikurse gafat e Gazmend Muhaxherit”, shkroi Pozhari, duke iu referuar deklaratës së Abdixhikut se kishte mbuluar edhe gabime të bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas Pozharit, momenti më i rëndësishëm ishte ndryshimi i qasjes së kreut të LDK-së.
“Sonte foli si lider dhe u shfaq i prerë. E vuri kufirin ku mbaron toleranca e tij. Ishte shumë më origjinal sesa në paraqitjet e tjera”, u shpreh ai.
Pozhari vlerësoi se, pavarësisht rolit që LDK-ja do të ketë në të ardhmen, në pushtet apo opozitë, intervista e Abdixhikut shënon një moment të rëndësishëm për partinë.
“Pavarësisht çka sjell e ardhmja, në qeveri ose opozitë, nga sonte LDK-istët e shohin liderin e tyre më qartë sesa kurdo më parë”, përfundoi ai.



