
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja, por kërkon një zotim të qartë me shkrim për ndërmarrjen e veprimeve që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve.
Në një konferencë për media, Gjini tha se AAK nuk do ta pengojë krijimin e institucioneve dhe, nëse është e nevojshme, do ta sigurojë edhe kuorumin për votime.
“Kjo nënkupton që nuk do të pengojmë themelimin e institucioneve, në asnjë mënyrë. Nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin, por na duhet zotimi i pastër me shkrim që këto veprime do të ndërmerren. Në këmbim nuk kërkojmë asgjë”, deklaroi ai.
Gjini u ndal edhe te mundësia që Ramush Haradinaj të propozohet për president të Kosovës, duke theksuar se kjo do të ishte nder për AAK-në, por jo kusht për mbështetjen e partisë.
“Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë. Për ne do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne mendojmë që Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj, mirëpo nuk po duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën”, tha Gjini.
Ai shtoi se AAK nuk po kërkon poste në këmbim të mbështetjes, por që pesha politike e partisë të përdoret për të realizuar kërkesa që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve.
“Jemi të gatshëm edhe të bëjmë kuorum, por po kërkojmë diçka për qytetarin e Kosovës, jo për vete. Nuk duam as ministra, as zëvendësministra, as ambasadorë, as borde, asgjë”, u shpreh Gjini.



