
Kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raportoi Ekonomia Online, shkruan KOHA.
Haxhiu ka thënë se ky rezultat është i pasaktë dhe si i tillë nuk duhet pranuar.
“Sot bashkë me kandidatin për deputet Qëndrim Kryeziu, kemi dorëzuar ankesën në PZAP, në rezultatin përfundimtar të publikuar nga KQZ-ja, për arsye se rezultati i publikuar dhe përfundimtar është i pasaktë, i paverifikuar, tani më i pranuar dhe i evidentuar në dy fakte esenciale të konfirmuar nga rinumërimi i 5,201 votave të PDK-së, ku janë evidentuar 221 vota të regjistruara në regjistrimin fillestar gabimisht. Mua si kandidat në këtë rinumërim mu shtuan 6 vota dhe ankesa është e bazuar dhe rezultati nuk mund të certifikohet si i pasaktë, ai duhet të jetë i saktë, ligji e garanton që rezultati përfundimtar dhe i certifikuar duhet të jetë i saktë”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka shtuar se rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
“Ju rikujtoj se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në rinumërimin fillestar të verifikuar nga KQZ-ja në mostrën prej 2%, në atë periudhë kohore më janë shtuar plus 12 vota, ndërsa pas rinumërimit total më janë shtuar 522 vota. Rast pothuajse i ngjashëm me përmasa më të vogla është edhe tani, duke ditur që diferenca për fitimin e mandatit të deputetit është shumë e ngushtë, është 102 vota, marzhi i gabimit i cili është evidentuar është shumë i lartë që e tejkalon këtë diferencë të votave. Prandaj, që rezultati të jetë i saktë dhe i pakontestueshëm, po kërkojmë që të kemi një procedurë të rinumërimit të cilën duhet ta urdhërojë PZAP-ja dhe pastaj ta kemi rezultatin përfundimtar të saktë”, është shprehur Haxhiu.
Kurse, kandidati tjetër për deputet Qëndrim Kryeziu, tha se ligji nuk thotë që të falen gabimet sado të vogla qofshin ato.
“Por ligji nuk thotë që duhet t’i falim, ligji thotë që duhet të zbatohet për të gjithë njëjtë dhe votë për votë të numërohet çdo votë. Kështu që ne s’po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme, po kërkojmë vetëm ata që na kanë votuar t’i falënderojmë dhe t’i kemi numrin e saktë të votave sepse dihet që ka aty më shumë gabime sesa thonë ata. Kështu që ne kërkojmë të drejtën tonë që të numërohet çdo votë dhe asnjë gjë më shumë”, tha Kryeziu.
PZAP-ja ka afat 4 ditë për të kthyer përgjigje në ankesën e tyre. Nëse ankesa refuzohet, ata kanë të drejtë ankesë në Gjykatën Supreme. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep Supremes afat prej pesë ditësh për të vendosur lidhur me ankesat.
Me përfunidm të shqyrtimit të ankesave KQZ-së i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimate.
Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të dytat të jashtëzakonshme radhazi, dhe u mbajtën 6 muaj pas atyre të 28 dhjetorit. Legjislatura X u shpërnda pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin.



