
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për kalimin e pronësisë së tokës së Sheshit “Skënderbeu” te Komuna e Çairit, duke hequr pengesën e fundit administrative për realizimin e fazës së tretë të projektit.
Sipas Mexhitit, ky vendim hap rrugën për nisjen e procedurave të tenderimit dhe më pas të punimeve për kompletimin e sheshit.
“Sot, Qeveria miratoi vendimin për kalimin e pronësisë së tokës së Sheshit ‘Skënderbeu’ te Komuna e Çairit. Me këtë vendim hiqet pengesa e fundit administrative dhe hapet rruga për realizimin e fazës së tretë të Sheshit ‘Skënderbeu’”, ka shkruar Mexhiti.
Ai e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për shqiptarët në Shkup, duke theksuar se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për vazhdimin e projektit.
“Ky është një hap i rëndësishëm që e afron edhe më shumë kompletimin e njërit prej projekteve më të rëndësishme për shqiptarët në Shkup. Tashmë janë krijuar të gjitha kushtet që shumë shpejt të hapet tenderimi, të nisin punimet dhe Sheshi ‘Skënderbeu’ të marrë formën që e meriton”, u shpreh Mexhiti.



