
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë në detyrë, duke thënë se raporti vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2025 dëshmon se ekonomia po përballet me rritje të ngadaltë, inflacion të lartë dhe varësi gjithnjë e më të madhe nga importi.
Sipas saj, raporti i BQK-së konfirmon atë që, siç tha, qytetarët dhe bizneset po e ndiejnë çdo ditë.
“E thotë qartë edhe Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025, atë që po e themi ne, atë që qytetarët dhe bizneset po e ndiejnë çdo ditë: çmimet po rriten shumë, ekonomia po rritet pak, ndërsa varësia nga importi po thellohet nga viti në vit”, u shpreh Bajrami në një status në Facebook.
Ajo ka thënë se, sipas raportit, ekonomia e Kosovës është rritur me vetëm 3.6 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë.
Bajrami ngriti shqetësime edhe për parashikimet e BQK-së për vitin 2026, sipas të cilave rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.5 për qind, ndërsa inflacioni të rritet në 6.7 për qind.
“Me fjalë të tjera: ekonomia pritet të rritet më ngadalë, ndërsa çmimet shumë më shpejt”, ka shtuar ajo.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së theksoi se Kosova vazhdon të ketë një varësi të madhe nga importi. Sipas saj, gjatë vitit 2025 janë importuar mallra në vlerë rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë qenë vetëm rreth 869 milionë euro.
“Pra, kemi importuar rreth tetë herë më shumë sesa kemi eksportuar. Deficiti tregtar ka arritur në rreth 6.1 miliardë euro, me rritje prej 12.5 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa eksporti ka rënë lehtë dhe importi është rritur për 10.6 për qind”, ka deklaruar ajo.
Bajrami shtoi se raporti tregon një ekonomi që, sipas saj, mbahet nga konsumi, importi dhe remitencat, ndërsa përballet me inflacion të lartë, rritje të pamjaftueshme ekonomike dhe deficit tregtar në rritje.
Ajo përmendi edhe rritjen prej 11.5 për qind të çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se kjo rrit kostot për bizneset dhe, rrjedhimisht, çmimet për qytetarët e që, siç shkruan Bajrami, është shumë më e lartë se 100 eurot që i shpërndan Qeveria në detyrë.
Bajrami ka thënë se Kosovës i nevojitet një politikë ekonomike që mbështet prodhimin vendor, eksportin, uljen e kostos së energjisë për bizneset dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Një ekonomi që importon 7 miliardë euro dhe eksporton më pak se 1 miliard euro nuk është ekonomi e qëndrueshme, por ekonomi e varur”, përfundoi ajo./KOHA



