
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe Ismet Haxha, Rrusten Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari janë paraqitur në Gjykatë në rastin ku ata akuzohen për veprën penale për krim të organizuar e frikësim të dy dëshmitarëve të mbrojtur në rastin “Drenica 1”, shkruan KOHA.
Lashtaku në seancën e së premtes është deklaruar se do të mbrohet në heshtje.

Avokati i Lushtakut , Artan Çerkini ka thënë se pasi është konsultuar me klientin e tij dhe janë pajtuar që ai të mbrohet në heshtje.
“Ai është pajtuar me sugjerimin tim që mos ta japë mbrojtjen fate, pasi që provat e prezantuara në shqyrtimin gjyqësor nuk ka dal asnjë fakt inkriminues kundër tij , prandaj edhe konsideron se nuk ka pse ta japë mbrojtjen dhe shfrytëzon të drejtën e tij të mbrohet në heshtje”, është shprehur Çerkini.
Edhe Rukolli, Mjaku e Tahiri janë mbrojtur në heshtje.
Ndërsa Rexhep Xhota ka thënë se e ka lexuar aktakuzën dhe se nuk qëndrojnë ato që janë shkruar në aktakuze.
Prokuroria pretendon se ata, si grup kriminal, kanë kryer veprat penale: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës zyrtare”, nga qershori i 2013-tës deri në shtator të 2015-tës, duke i detyruar dy dëshmitarë që t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”.
Akuzat në rastin “Drenica” lidhen me keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës. Për të tashmë janë dënuar disa persona.
Që të gjithë në seancat e mëhershme janë deklaruar të pafajshëm.



