
Drejtori për Sport dhe Rini në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, ka njoftuar se Kryeqyteti do të organizojë për herë të parë trajnime falas të notit për të gjithë nxënësit e shkollave publike të Prishtinës, të moshës 9 deri në 11 vjeç.
Sipas Gecit, noti është shumë më tepër se një sport, pasi ndikon në shëndetin, sigurinë dhe vetëbesimin e fëmijëve.

“Noti është shumë më tepër se një sport, është shëndet, siguri dhe vetëbesim. Për herë të parë, Kryeqyteti po ofron trajnimet e notit falas për të gjithë nxënësit e shkollave publike të Prishtinës, të moshës 9–11 vjeç”, ka shkruar ai.
Trajnimet do të mbahen nga 27 korriku deri më 21 gusht.
Geci u ka bërë thirrje prindërve që të aplikojnë dhe t’u japin fëmijëve mundësinë të mësojnë një nga aftësitë më të rëndësishme jetësore.
“Le t’i rrisim fëmijët tanë aktivë, të sigurt dhe gjithmonë më pranë sportit”, ka shtuar ai.
Aplikimet mund të bëhen përmes platformës së dedikuar të Kryeqytetit.



