
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas thirrjes së një personi në Kuvendin e Kosovës për pushkatimin e Ramush Haradinajt.
Gjini ka thënë se thirrje të tilla në Kuvend nuk janë të rastësishme, por, sipas tij, janë produkt i një platforme propaganduese mbi dhjetëvjeçare.

“Thirrjet vëllavrasëse në shtëpinë e ligjit nuk janë të rastësishme; ato janë produkti i saktë i një platforme mbi dhjetëvjeçare propaganduese.
Deklarata e sotme monstruoze kundër Ramush Haradinajt është thjesht manifestimi i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës arkitektët e saj sot heshtën në sallë.
Ky instrumentalizim i rrezikshëm nuk përfaqëson mërgatën tonë patriotike, por rezultatin e një inxhinierie të mbrapshtë politike, ku prokuroria e shtetit duhet të ndërhyjë urgjentisht.
Ramush Haradinajn mund ta shihni vetëm nga larg, sepse atë e mbron historia, populli dhe ai vetveten, duke qenë më i zoti se cilido prej jush. Njerëzit e këtillë dhe nxitësit e tyre do të përfundojnë shumë shpejt në plehun e harresës”, ka shkruar Gjini.
Reagimi i Gjinit vjen pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës dhe deklaratës së bërë ndaj kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.



