Një grua u gjet e vrarë në Vitomiricë, pak minuta pasi u kthye nga stacioni policor ku kishte denoncuar dhunën në familje

Një grua rreth 49-vjeçare është gjetur pa shenja jete të dielën në mbrëmje, në Vitomiricë të Pejës. Gazeta Sinjali, duke iu referuar burimeve të saj, raporton se viktima kishte denoncuar dhunë në familje dhe ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga policia, pak minuta para se të raportohej vdekja e saj.

Sipas Sinjalit, viktima është Arlinda Sylaj Zekaj, ndërsa i dyshuar për rastin është kunati i saj, Albert Sylaj. Ai dyshohet se e ka goditur me sëpatë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Këto informacione nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht nga Policia.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 25 tetor, në rrugën “Man Dedushaj”. Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 19:00 gruaja ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë, ku ishte intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje. Ajo ishte kthyer në shtëpi me patrullë rreth orës 20:58.

Sinjali raporton se, rreth dhjetë minuta pasi policia ishte larguar, në stacion ishte pranuar njoftimi për një vrasje në të njëjtën adresë. Kur patrulla u kthye, 49-vjeçarja u gjet pa shenja jete në dhomën e gjumit. Ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e saj.

Sipas të njëjtave burime, i dyshuari dyshohet se është larguar me një veturë të kuqe të tipit “Golf 3”. Vendndodhja e tij nuk dihej në kohën e raportimit të Sinjalit.

Rasti po hetohet nga Policia në Pejë. Rrethanat e denoncimit të dhunës dhe veprimet e ndërmarra për sigurinë e gruas pas kthimit në shtëpi mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet.

Personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.