
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se aksioni para ndërtesës së Qeverisë po vazhdon edhe sot, ndërsa atij i janë bashkuar asamblistë dhe drejtorë nga Komuna e Vushtrrisë.
Çitaku i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i kërkuar që të shkojë në Kuvend dhe të mundësojë, sipas saj, rikthimin e rendit kushtetues.

“Edhe sot, bashkë me asamblistë dhe drejtorë nga Komuna e Vushtrrisë, jemi para Qeverisë me një kërkesë të qartë:
Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesat e qytetarëve për kalkulimet e tua individuale dhe partiake.
Të presim sot, në orën 11:00, në Kuvend!”, ka shkruar Çitaku.
PDK-ja po vazhdon prej disa ditësh aksionet para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.



