
Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe të Bashkimit Evropian kanë qenë sot të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e PDK-së dhe të Aleancës janë mbledhur sërish pas kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive.
Edhe kësaj here, në sallë kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të LDK-së.

Pavarësisht kësaj, deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar me adresimet e tyre nga foltorja e Kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se qytetarët po përballen me probleme të shumta, ndërsa institucionet vazhdojnë të mbeten të bllokuara.
“Sot dua të flas për qytetarët që presin zhvillim të politikave për një shërbim më të mirë shëndetësor. Për prindërit që mezi e dalin muajin. Për të riun që kërkon një vend pune me meritokraci. Për bujkun, për punëtorin, për biznesmenin që lufton çdo ditë për ta mbajtur biznesin gjallë dhe me të drejtë pyesin: Çfarë po ndodh me vendin tonë? Dhe përgjigja është e thjeshtë dhe shumë e qartë. Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp”, ka thënë Musliu.
Ajo ka akuzuar Vetëvendosjen se po e mban vendin pa institucione dhe se po e keqpërdor, siç ka thënë, besimin e qytetarëve.
“Dhe kjo parti e ka lënë vendin sot pa institucione. Kjo parti po luan me besimin tuaj, qytetarë të dashur, dhe po luan me durimin e një populli që ka duruar më shumë se ç’duhet. Por çdo durim e ka edhe një fund”, ka deklaruar ajo.
Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare, duke thënë se moskonstituimi i Kuvendit e ka futur Kosovën në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore.
“Tanimë kjo shumicë parlamentare e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, ka thënë Tahiri.
PDK-ja ndërkohë ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Avni Deharit, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, për shkak të mosvazhdimit të seancës.
Prania e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe BE-së në sallën e Kuvendit vjen në një kohë kur kriza institucionale vazhdon të thellohet dhe Kuvendi ende nuk është konstituuar, edhe pas kalimit të afatit kushtetues.



