
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Glauk Konjufcës në rigjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
“I pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, tha gjykatësja Edita Çanta.

Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën kishte arritur parashkrimi, akuza ishte refuzuar. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.



