Shefi i Shtabit të KFOR-it viziton Mitrovicën: Po përshtatim pozicionimin, duke ruajtur forcat për reagim

Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it, Gjeneral Brigade Chad Daniels, vizitoi të shtunën personelin e KFOR-it që vepron në Mitrovicë, shkruan KOHA.

Ai ka thënë se KFOR-i po përshtat pozicionet e veta duke ruajtur kapacitetet, ndër tjerash, edhe për të reaguar kur është e nevojshme. 

banner

“Ajo që kam parë nga personeli ynë demonstron se si KFOR-i po përshtat pozicionimin e tij, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetet që kanë më shumë rëndësi: një prani të dukshme, ndërgjegjësim të fortë për situatën, angazhim me të gjitha komunitetet lokale dhe forca që janë të gatshme të reagojnë kur është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të kahershëm të OKB-së”, ka thënë ai. 

KFOR-i përmes një komunikate për vizitën ka thënë se vazhdon të optimizojë pozicionin e tij, se procesi mbetet gradual, i bazuar në kushtet dhe i informuar nga vlerësimet e vazhdueshme të situatës në terren.

KFOR-i tashmë ka nisur reduktimin e pranisë në Urën e Ibrit në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës po e merr përgjegjësinë kryesore për sigurinë aty. Megjithatë, ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të veturave dhe ende nuk dihet se kur do të hapet, pavarësisht paralajmërimeve e deklaratave nga zyrtarë shtetërorë.

Më 25 gusht, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff, tha se vendimi nëse ura duhet të hapet për qarkullim të veturave apo jo, mbetet te Bashkimi Evropian dhe tek institucionet përkatëse të Kosovës.

Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se e ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë. Siç pati njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.