Kurti kërkon presion nga BE-ja dhe SHBA-ja ndaj Serbisë: Shqiptarët e Luginës po diskriminohen sistematikisht

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në një takim në Prishtinë me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Kurti ka thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi duhet të dokumentohet dhe të ndërkombëtarizohet.

banner

“Po kërkojmë nga Bashkimi Evropian që ai t’i kërkojë Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, atë që vetë Evropa e konsideron themelore: sundim të ligjit, barazi, mosdiskriminim, dhe mbrojtje efektive e pakicave”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se nuk mjafton që për diskriminimin të dijë vetëm Kosova.

“Duhet ta dijë edhe Brukseli, Washingtoni e Strasburgu. Dhe çdo institucion që e vlerëson Serbinë për standardet demokratike dhe për të drejtat e njeriut”, ka deklaruar Kurti përcjell KOHA.

Sipas tij, shqiptarët në Serbi përballen me nënpërfaqësim në polici, gjyqësor, administratë dhe punësim, si dhe me probleme lidhur me pasivizimin e adresave, përdorimin e gjuhës shqipe dhe qasjen në institucionet publike.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës po vepron në tri drejtime: trajtimin sa më të barabartë të shqiptarëve të Luginës në Kosovë, mbështetjen financiare dhe arsimore, si dhe avokimin ndërkombëtar.

Ai ka bërë të ditur se Serbia ka bllokuar këtë vit dy transfere financiare të Kosovës, në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh, të dedikuara për 136 projekte dhe organizata të shqiptarëve të Luginës.

Kurti ka kërkuar që këto mjete të zhbllokohen.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë mbështetjen. Është përgjegjësi e jonë kombëtare, që shqiptarët nga këto treva të jenë sa më të barabartë me qytetarët e Kosovës kur vijnë këtu”, ka thënë ai.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.