Abdixhiku: I kërkoj falje popullit, me këtë Grup Parlamentar nuk mundem më tepër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të partisë gjashtë deputetë kanë thënë se nuk do ta votojnë për president kandidatin e propozuar Bekim Sejdiu. 

Ai ka thënë se Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë thënë se nuk do të votojnë për Sejdiun. 

banner

Abdixhiku ka thënë se po humbet një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe po dërgohet vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme. 

“Kjo nuk ishte betejë me mua, beteja me mua përfundoi në Kuvendin e LDK-së. Ishte betejë për Republikën e Kosovës. Profesor doktor Bekim Sejdiu është kandidat i shkëlqyeshëm i propozuar nga LDK-ja dhe siguronte balancë institucionale e do të ndalonte çdo tendencë të shkeljes së Kushtetutës dhe do ta mbronte Kushtetutën edhe prëballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje…Konsideroj se fatkeqësisht pozicioni kundër vendimit të Kryesisë e kundër LDK-së është i dëmshëm për Republikën e patjetër për LDK-në. E çdo palë zgjedhje të ardhme, për shkak të këtyre refuzimeve, do të jenë me pasoje edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”, tha Abdixhiku. 

Ai ka thënë se ka përshtypjen që çdo emër që do të propozohej do të merrte përgjigje të tillë nga 6 deputetët që refuzuan. 

“Ka apetit të jashtëzakonshëm për të shtyrë agjenda që nuk janë të LDK-së”, ka thënë Abdixhiku. 

Ai ka thënë se do të ketë masa disiplinore ndaj atyre që nuk kanë respektuar vendimin e Kryesisë së LDK-së. 

“Më shumë jam i brengosur për pasojat për Kosovën. Të shkaktojmë edhe njëherë zgjedhje, kur kemi marrëveshje politike e kandidaturëserioze të mbarë e të mirë, me respekt të gjerë popullor. Kur kemi kapërcyer edhe veten, s’kemi kërkuar asgjë për veten vetëm që Kosova të ketë president të dinjitetshëm. Për beteja të paarsyeshme personale të rrënohet gjithë kjo mundësi. Jam i brengosur për pasojat e Republikës”, tha Abdixhiku.

Ai ka deklaruar se LDK-ja do të marrë vendime ndaj atyre që nuk kanë respektuar vendimin e Kryesisë, por thotë se nuk është temë kjo. 

“Secili njeri që nuk respekton vendimet e Kryesisë më së paku që do të duhet të bënte, nëse ndihet përfaqësues i LDK-së, nëse asgjë të dorëzonte mandatin e deputetit”, tha Abdixhiku. Ai tha se asnjërit nuk ia ka kërkuar këtë. 

Ai ka thënë se i kërkon falje popullit të Kosovës për këtë, por nuk mundet më tepër. 

Abdixhiku ka thënë se kur të thirret seanca ai do të jetë në seancë qoftë edhe i vetëm. Ka thënë se LDK-ja i ka vetëm 12 vota e nuk mund të sigurojë vota më tepër. 

“Gjithë ata që janë përpjekur ta minojnë balancin demokratik, po i shërbejnë shtrirjes së pushtetit absolut nga një parti e vetme në Kosovë”, tha Abdixhiku. “Ndjej keqardhje e kërkoj falje. Kaq munda. Nuk mundem më tepër. Jo me këtë Grup Parlamentar, me këtë përçarje, me këtë ndarje. Nuk mundem më tepër”.

Abdixhiku ka thënë se Bekim Sejdiu ka qenë kuadër i LDK-së si ekspert dhe ishte zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese me vota të LDK-së. 

“Unë e kapërceva veten, do të duhej secili ta bënte këtë. Këtë politikë madje as nuk mund ta përfaqësojë. Jam i pafuqishëm ta rregulloj një mendim të tillë që do me gjithë zemër të na dërgojë në zgjedhje”, tha Abdixhiku, ndërsa shtoi se beteja është dashur të bëhej në Kuvend

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.