PDK-ja e Aleanca para Qeverisë: Kurti qëllimisht po e bllokon vendin

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë vazhduar edhe sot aksionin para Qeverisë së Kosovës. Në aksion janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë nga Komuna e Drenasit, raporton Ekonomia Online.

Asamblisti i Drenasit, Dritan Ajazi, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke thënë se ai nuk është i interesuar për formimin e institucioneve.

banner

“Tanimë, siç po e shihni, mashtrimi i kryeministrit në detyrë vetëm është shpërfaqur në madhësinë e tij, sepse mbrëmë ajo u pa se ai nuk është i interesuar për të bërë institucionet. Bllokada që ka krijuar tash e dy vjet është duke i kushtuar Republikës së Kosovës. Kosova nuk është e një individi dhe e një partie politike. Për këtë vend është derdhur gjak, është bërë sakrificë e madhe dhe duhet dhe përgjegjësia duhet të jetë e madhe në raport me Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Kjo bllokadë më së shumti kjo bllokadë institucionale më së shumti po u kushton qytetarëve të Republikës. Qytetarëve të Republikës u është bërë jeta shumë e vështirë, duke paguar fatura të shtrenjta, duke mos pasur mundësi që përmes bllokimit të institucioneve të kenë qasje ata në zhvillimin e një jete normale. Dhe si rezultat i kësaj, Kosova po humb edhe investimet ndërkombëtare dhe kjo është dita-ditës duke e fundosur Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se situata aktuale është shqetësuese dhe se Kosova po përballet me mungesë të institucioneve.

“Mbrëmë qartazi e pamë të gjithë: nuk ka marrëveshje politike dhe Albin Kurti nuk po e thërret seancën. Prandaj, edhe sot e përsërisim thirrjen tonë që e bëjmë tash e sa kohë. Albin Kurti duhet ta ftojë seancën, të kthehet në Kuvend, t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. E thashë dhe po e ripërsëris: janë ditë të rënda që po i përjeton qytetari i Kosovës. Kosova po stagnon në të gjitha drejtimet e saj. Dje e kemi parë një protestë në sheshin e qytetit ku komunat e Kosovës, qytetarë nga të gjitha komunat kanë protestuar për shkak të diskriminimit dhe qasjes joserioze që po e bën Albin Kurti dhe përfaqësuesit e partisë së tij.  Kemi tejkaluar çdo afat kushtetues, çdo afat ligjor dhe jemi përtej çdo norme demokratike e kushtetuese. Prandaj po e përsëris: kthehuni në seancë, konstituoni Kuvendin, pastaj mundësitë janë që ai, nëse i ka votat, të procedojë me zgjedhjen e presidentit”, tha Deliu.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se do të vazhdojnë të qëndrojnë dhe të rezistojnë për, siç tha ai, mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjshmërisë.

“Ne qëndrojmë e rezistojmë për mbrojtjen e Kushtetutës, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës. Ajo që e kemi parë qartë prej fillimit ka qenë se qëllimi i këtyre pushtetarëve uzurpues ishte dhe mbetet që Kosova të shkojë në zgjedhje dhe për këtë kanë luajtur lojëra të ndryshme politike deri më tash, e cila tashmë për secilin qytetar në Kosovë besoj është e kuptueshme dhe është kuptuar fare qartë se e tëra ka qenë një lojë. Një lojë që është në kundërshtim me demokracinë, me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.  Ne së bashku edhe me qytetarët, edhe Aleanca me Partinë Demokratike e me gjithë qytetarët e Kosovës do të qëndrojmë e rezistojmë ndaj njerëzve që e rrezikojnë demokracinë. Nuk është opsioni më i keq në botë nëse ka zgjedhje. Opsioni më i keq në botë për ne, për Kosovën, është nëse një njeri, sikurse është Kurti, është edhe kryeministër, edhe president, edhe parlament, edhe gjithçka”, ka thënë ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.