
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka folur për situatën e fundit politike në vend, pas deklaratave të gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Rrustemi, i ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1, e ka cilësuar arritjen e marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së për presidentin si një zhvillim të rëndësishëm, i cili, sipas tij, ishte pritur nga qytetarët pas krizës së gjatë institucionale.

“Arritja e marrëveshjes në mes LVV-së dhe LDK-së për presidentin ishte një arritje e madhe. Ishte lajm i mirë edhe i shumëpritur, jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga opinioni publik dhe nga populli i Kosovës, për shkak se kjo krizë institucionale po e përcjell Kosovën për disa muaj. Kishte një dritë në fund të këtij procesi se po përmbyllet drejt dhe mbarë, natyrisht edhe me një emër që, të themi të drejtën, është konsensual dhe me vlera e atribute tepër të larta, me të cilin nuk kishte asnjë vërejtje dhe asnjë kritikë edhe nga pjesa tjetër e opozitës”, ka thënë Rrustemi.
Megjithatë, ai e ka konsideruar si lajm të keq vendimin e gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos e mbështetur Sejdiun.
“Është lajm i keq, pa dyshim. Është absurde, për bindjen time, që gjashtë deputetë, edhe vetëm gjashtë njerëz, ta mbajnë peng fatin e dy milionë njerëzve, në rastin konkret të Kosovës, dhe fatin e vendit edhe të Republikës”, është shprehur ai.
Rrustemi ka theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit u takon të gjithë deputetëve dhe ka argumentuar se nuk ka arsye që kandidatura e Sejdiut të mos mbështetet.
“Përgjegjësia për ta zgjedhur presidentin është e të gjithë deputetëve. Nuk kanë asnjë arsye të mos ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Republikës. Bekim Sejdiu nuk është kandidat i VV-së, nuk është në VV, madje është propozuar në LDK”, ka deklaruar Rrustemi.
Sipas tij, qëndrimi i disa deputetëve të LDK-së tregon edhe arsyetimin politik që, sipas tij, qëndron prapa refuzimit të kandidaturës.
“Unë mendoj që kjo rrethanë e shpërfaq gjithë atë prapavijë ose prapaskenë institucionale në këta muaj, sepse edhe deputetët e LDK-së e kishin refuzuar mbështetjen për Sejdiun dhe ata, siç e tha Abdixhiku, nuk duan t’ia zgjasin pushtetin Albin Kurtit”, u shpreh Rrustemi.
Deklaratat e Rrustemit vijnë në një kohë kur situata politike në vend mbetet e pasigurt, ndërsa mungesa e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit mund ta rikthejë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.



