
Një incident serioz është raportuar të ketë ndodhur në hapësirat e qendrës tregtare Prishtina Mall, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht kapitenin e Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, raporton Sinjali.
Sipas burimeve të këtij mediumi, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje rreth parkingut, e cila më pas ka eskaluar në përplasje fizike.

Në rast dyshohet se janë përfshirë dy persona, të cilët, sipas informacioneve të Sinjalit, kanë sulmuar kapitenin Ahmeti.
Pas përshkallëzimit të situatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Graçanicë, ndërsa më pas është angazhuar edhe Njësia për Reagim të Shpejtë.
Të gjitha palët e përfshira janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku kanë nisur procedurat për sqarimin e rrethanave dhe marrjen e deklaratave.
Sinjali raporton se, meqë njëra nga palët e përfshira është zyrtar policor me gradën kapiten, për rastin është njoftuar dhe është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Motivi fillestar dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje lidhur me parkingun, ndërsa rrethanat e sakta të incidentit dhe roli i secilit prej personave të përfshirë pritet të sqarohen gjatë hetimeve.



