
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka reaguar ndaj deklaratave të Patriarkut serb Porfirije në varrimin e Ratko Mladiqit, duke i cilësuar ato të turpshme dhe të papranueshme.
Kelmendi ka thënë se një person i dënuar për gjenocid nuk mund të glorifikohet si hero, ndërsa ka drejtuar kritika edhe ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, për takimet e tij me Patriarkun.

“Deklaratat e Patriarkut Porfirije në varrimin e Ratko Mladiqit janë të turpshme dhe të papranueshme. Një kriminel lufte i dënuar për gjenocid nuk mund të glorifikohet si hero i popullit serb”, ka shkruar Kelmendi.
Ai ka publikuar një fotografi që, sipas tij, është bërë para dy muajsh dhe ku Muhaxheri shihet me Porfirijen.
Kelmendi ka kujtuar se në vitin 2022 Muhaxheri e kishte mbrojtur publikisht Patriarkun, duke thënë se ai nuk jep deklarata nacionaliste dhe se e respekton Kosovën.
“Pse kryetari i Pejës, një prej qyteteve më të goditura nga lufta, duhet të ketë kaq shumë afërsi me këtë njeri që sot, në mënyrë publike, nderon dhe glorifikon kriminelët e luftës?”, ka pyetur Kelmendi.
Në fund, ai i ka bërë thirrje Muhaxherit që të distancohet publikisht nga Porfirije.
“E sfidojmë të distancohet publikisht!”, ka përfunduar Kelmendi.



