
Nga ora 11:00 e kësaj të mërkure, deputetët e Kuvendit do të zhvillojnë seancën për konstituimin e Kuvendit. Ftesa për këtë seancë është dërguar ditë më parë nga kryesuesi Avni Dehari, që i takon partisë Vetëvendosje.
Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja (me përjashtim të Daorsa Kica-Xhelilit), e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë seancë, përkundër kritikave se është shkelur afati kushtetues nga ana e VV-së.

Përparim Gruda, deputet i PDK-së, ka theksuar arsyen se pse kjo parti do të marrë pjesë në seancë.
“Pjesëmarrja jonë në seancë ndodh për shkak të ngjarjes që e kemi si vend, pra 16 shtatorit. Ne do të shkojmë nesër për ta konstituar Kuvendin, në mënyrë që kur merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së, Kosova të ketë të paktën Kuvendin. Prandaj, do ta bëjmë këtë lëshim”, ka deklaruar Gruda në “Interaktiv” të KTV-së.
Ndërsa AAK-ja ka njoftuar se do të bojkotojë këtë seancë, duke e cilësuar si anti-kushtetuese.



