
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës nuk arriti të konstituohej as në vazhdimin e seancës së 9 shtatorit.
Deputetët zgjodhën Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por procesi ngeci te zgjedhja e nënkryetarëve. Vazhdimi i seancës është caktuar për 11 shtator, në orën 11:00.

Çitaku tha se PDK-ja kishte ardhur në Kuvend me qëllim që procesi të përfundonte.
“PDK sot ishte në Kuvend me një qëllim të vetëm: që Kuvendi të konstituohej dhe bllokada të merrte fund”, ka shkruar ajo.
Pas propozimeve për nënkryetarë, Haxhiu kërkoi pauzë për konsultime rreth mënyrës së votimit, përkatësisht nëse kandidatët do të votoheshin në pako apo veçmas.
Më pas, Haxhiu bëri të ditur se kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, nuk e kanë mbështetjen e VV-së për t’u zgjedhur.
Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, e arsyetoi këtë qëndrim me deklarimet e mëhershme të Çitakut dhe Shalës për të mos marrë pjesë në votimin e presidentit, duke i akuzuar se “po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”.
Çitaku, ndërkaq, tha se PDK-ja ishte e gatshme të kontribuonte në çfarëdo forme për funksionalizimin e Kuvendit.
“PDK ishte e gatshme të kontribuonte për zgjidhje dhe për funksionalizimin e Kuvendit, sipas çfarëdo kërkese apo vendimi për nënkryetarët”, tha ajo.
Sipas Çitakut, përgjegjësia për moskonstituimin e Kuvendit bie mbi Vetëvendosjen.
“Për VV-në, fatkeqësisht, skemat ndryshojnë, por qasja mbetet e njëjtë: bllokimi, jo zgjidhja”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se Kuvendi, sipas saj, do të duhej të ishte konstituuar para 16 shtatorit.
“Kosova do të duhej ta kishte Kuvendin të konstituuar para 16 shtatorit. Kjo s’ka asnjë dilemë!”, ka përfunduar Çitaku.



