
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas dhe përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, shkruan KOHA.

Veç Kurtit e Kallasit, në takim morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hecegovinës, Dino Konakoviq.
Kurti ka thënë se Kosovës duhet t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas Kurtit, një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj, siç e ka quajtur ai, “besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike” dhe përcaktimit të saj strategjik euroatlantik.
“Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka kritikuar edhe vonesën e shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, duke thënë se kjo inkurajon akterët destabilizues në rajon e më gjerë.
“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë”.
Sipas kryeministrit, Kosova s’mund të mbetet peng i Serbisë, që shpërblen e glorifikon kriminelë të luftës. Ai akuzoi Serbinë edhe për spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginë.
“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar tutje Kurti.


