PDK-ja pas miratimit të Deklaratës: Tash është radha e projektligjit për Gjykatën Speciale

Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin e deklaratës së Kuvendit lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në një njoftim, PDK-ja ka falënderuar grupet parlamentare për mbështetjen dhe harmonizimin e tekstit të deklaratës, e cila ishte propozuar nga grupi parlamentar i kësaj partie, shkruan Telegrafi.

Postimi i plotë:

PDK falënderon deputetët për miratimin e deklaratës në mbrojtje të UÇK-së: Tani është radha e votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Prishtinë, 28 shtator – Partia Demokratike e Kosovës përshëndet miratimin nga Kuvendi të deklaratës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Partia Demokratike e Kosovës falënderon të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen dhe kontributin në harmonizimin e tekstit të deklaratës së propozuar nga grupi ynë parlamentar.

Sot, Kuvendi shprehu qëndrimin e tij për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e aktgjykimit që e vlerëson të padrejtë. Ky është një hap i rëndësishëm i vullnetit të përbashkët politik. Tani ai vullnet duhet të kthehet në veprim konkret.

Radha është e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK. Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë.

Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur. PDK do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj.

Sot u dëshmua se mund të ndërtohet vullnet i përbashkët për mbrojtjen e vlerave tona. Tani kërkojmë që i njëjti vullnet të dëshmohet edhe në votimin e ligjit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.