Çitaku pas votimit të Deklaratës: Tani është radha e Qeverisë ta sjellë Projektligjin për Specialen

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Çitaku ka falënderuar 99 deputetët që votuan për Deklaratën, duke kërkuar që hapi i radhës të jetë procedimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Për UÇK-në! I falënderoj të gjithë deputetët, 99, që sot votuan me unanimitet Deklaratën në mbrojtje të UÇK-së dhe çlirimtarëve tanë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se pas qëndrimit të shprehur nga Kuvendi, tani pret veprim nga Qeveria.

“Kuvendi sot e shprehu vullnetin e tij. Tani është radha që Qeveria ta sjellë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, që ai të votohet pa vonesë”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka kërkuar që procesi të vazhdojë pa vonesa, duke e bërë dallimin mes deklaratës së miratuar dhe ndryshimeve ligjore të kërkuara.

“Deklarata është zotim. Ligji është veprim. T’i jetësojmë të dyjat pa vonesa. Sot u pa që është e mundur. UÇK-ja të na bashkojë!”, ka përfunduar Çitaku.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota Deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.