
Familja e Ekrem Rexhës – Komandant Drinit, ka reaguar pas një baneri të shfaqur nga tifozët e Trepçës, “Torcida”, gjatë rivalitetit me tifozët e Bashkimit të Prizrenit.
Në ndeshjen e 29 shtatorit mes KB Trepçës dhe KB Bashkimit, tifozët mitrovicas shfaqën një baner në të cilin përmendej Komandant Drini. Familja Rexha ka vlerësuar se emri i tij është përdorur në një formë që synonte provokimin e tifozëve prizrenas “Arpagjik’t”.
Pas kësaj, djali i Komandant Drinit, në emër të familjes Rexha, ka dalë me një deklaratë të titulluar “Deklaratë paqësore”.
“E kuptojmë se tribuna ka emocion, rivalitet dhe gjuhën e saj, dhe nuk kemi ardhur t’ua mësojmë tifozëve se si ta përkrahin klubin e tyre. Por një gjë për ne është e qartë: figura e Komandant Drinit është shumë më e madhe se çdo rivalitet sportiv”, thuhet në reagim.
Familja ka shprehur respekt dhe mirënjohje për tifozët e Bashkimit, “Arpagjik’t”, duke thënë se ata ndër vite kanë respektuar figurën dhe kujtimin e Komandant Drinit.
“E vlerësojmë faktin që në Prizren, emri i tij vazhdon të kujtohet me dinjitet dhe respekt, pavarësisht rivaliteteve sportive”, thuhet në deklaratë.
Familja Rexha ka deklaruar se qëndron përkrah Bashkimit dhe “Arpagjik’t”, por ka theksuar se qëllimi i reagimit nuk është nxitja e konfliktit mes tifozerive.
“Ne jemi me Bashkimin dhe me Arpagjik’t, jo sepse duam të ushqejmë ndonjë konflikt, por sepse ata janë pjesë e qytetit, historisë dhe kujtesës që ne si familje e mbajmë afër zemrës”, thuhet tutje.
Familja i është drejtuar drejtpërdrejt edhe “Torcidës”, duke kërkuar që rivaliteti mes klubeve të mbetet brenda sportit dhe të mos përfshijë figurat historike.
“Përkrahni Trepçën, këndoni, krijoni atmosferë, luftoni për ekipin tuaj, por figurat historike dhe kujtimi i njerëzve që kanë dhënë kontribut për vendin meritojnë të mbeten mbi çdo përplasje të tribunave”, thuhet në reagim.
“Respekti për historinë le të jetë më i zëshëm se çdo rivalitet”, ka shtuar familja Rexha.
Në fund, familja ka falënderuar “Arpagjik’t” për respektin ndaj Komandant Drinit dhe i ka uruar për trofeun.
“Ta gëzoni kupën, trimat e Dukagjinit”, përfundon deklarata e familjes Rexha.



