
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas protestës së mbajtur në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Çitaku e ka mirëpritur vendosjen e simbolit të UÇK-së në ndërtesën e Qeverisë, por ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të procedojë në Kuvend ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Sonte, pas protestës popullore, ndërtesa e Qeverisë qenka mbuluar me simbolin e UÇK-së. Mirë shumë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka përmendur protestat që po mbahen prej 16 ditësh kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
“Por, ka 16 ditë e 16 net që sheshet po buçasin anë e kënd Kosovës, e kudo në diasporë ku ka shqiptarë: Jo në Emrin Tim”, ka deklaruar ajo.
Sipas Çitakut, kërkesa ndaj Kurtit është që projektligji të dërgohet në Kuvend dhe të hidhet në votim.
“Dhe kërkesa drejtuar Albin Kurtit është e qartë: silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni. Pa humbur kohë”, ka shkruar ajo.
“UÇK-ja ka nevojë për mbrojtje shtetërore, jo për instalacione e fjalë boshe. Vepra, Albin. Jo fjalë”, ka përfunduar Çitaku.



