Clark: Gjykata Speciale ka marrë fund, kthejeni Thaçin dhe të tjerët në Kosovë – i gatshëm të dëshmojë sërish në Apel

Ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ka reaguar ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke kërkuar kthimin e tyre në Kosovë.

Në një intervistë për TV Klan, Clark ka thënë se, sipas tij, Gjykata Speciale “ka marrë fund” dhe se Thaçi dhe të tjerët duhet të kthehen në Kosovë. 

“Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftoi për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim”, ka deklaruar Clark. 

Gjenerali amerikan ka thënë se gjatë dëshmisë së tij kishte kërkuar të shihte provat që e lidhnin Thaçin me krimet.

“Unë kam kërkuar provat dhe nuk kishte prova. Të paktën në dijeninë time”, është shprehur ai. Ky është vlerësimi i Clarkut; Trupi Gjykues, nga ana tjetër, ka arritur në përfundimin se provat e administruara plotësonin standardin për shpalljen e fajësisë në akuzat për të cilat u dënuan të pandehurit.

Clark ka kërkuar përfundimin e procesit dhe kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

“Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le ta rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar pesë vite në paraburgim. Mjaft me kaq”, ka deklaruar ai. 

Clark ka shprehur gatishmëri që të paraqitet përsëri si dëshmitar nëse ftohet gjatë procesit të Apelit.

“Do ta vlerësoja shumë nëse do të më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi”, ka thënë ai. 

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.