
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj diskutimeve se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të dërgohen për shqyrtim në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë dhe eventualisht të shfuqizohen.
Gruda ka thënë se me projektligjin e propozuar nga PDK-ja është paraparë shprehimisht heqja e kompetencës së kësaj Dhome për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit.
“Po e sqaroj: me ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme”, ka shkruar Gruda.
Ai i është referuar Amendamentit nr. 24 të Kushtetutës, i cili përcakton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese vendos për referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar “në përputhje me ligjin e veçantë”.
Sipas Grudës, kjo dispozitë kushtetuese e lidh juridiksionin e Dhomës në Hagë me përmbajtjen e ligjit të veçantë.
Ai ka thënë se pikërisht mbi këtë bazë është hartuar neni 23 i projektligjit të PDK-së.
Sipas tij, ky nen përcakton që Dhoma Kushtetuese në Hagë të vendosë vetëm për referimet që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt (paraprak), konkret dhe incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve ose Ligjit Nr. 05/L-053”, ka cituar Gruda pjesën e projektligjit.
Ai ka shtuar se kontrolli i kushtetutshmërisë së Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe i çdo ligji që e ndryshon, plotëson apo shfuqizon atë, sipas propozimit të PDK-së do t’i takonte Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.
“Prandaj, sipas ndryshimeve të propozuara, Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar këtë ligj”, ka deklaruar ai.
Gruda ka theksuar se Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk është një gjykatë e veçantë kushtetuese, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm.
Sipas interpretimit të tij, kontrolli kushtetues i akteve të Kuvendit, përfshirë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Specialen, duhet t’i mbetet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në përbërjen e saj të rregullt.



