
Senatori amerikan, Dick Durbin, ka thënë se propozimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane, “duhet të shqyrtohet seriozisht”.
Ai tha se Qeveria e Kosovës “ka propozuar një marrëveshje financiare” për këtë çështje dhe se ajo nuk do të përbënte ndonjë “sakrificë të madhe parash”.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Pentagonit dhe Qeverisë së Kosovës për detaje nga ky propozim, nuk ka marrë ende përgjigje.
Gjatë intervistës së dhënë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Durbin tregoi se gjatë takimit më 12 tetor me Kurtin në Prishtinë, kryeministri i kishte shoqëruar senatorët në zyrën e tij dhe u kishte treguar një hartë të Kosovës, për t’ua paraqitur rreziqet e sigurisë në afërsi të saj.
“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë”, tha ai.
Kampi Bondsteel, që ndodhet pranë Ferizajt, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. Kurti e ka përsëritur disa herë propozimin që ky kamp të bëhet bazë e përhershme amerikane, duke e lidhur atë me paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
Në fund të shtatorit, edhe Polonia i ofroi SHBA-së stimuj financiarë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake, përfshirë 15.000 dollarë në vit për secilin ushtar amerikan të stacionuar në vend dhe mbulimin e kostove të infrastrukturës.



