
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në fjalën e saj gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka thënë se menjëherë pas këtij rasti kanë zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm ndërinstitucional me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor, të Këshillit Prokurorial, të Qendrave për Punë Sociale e të Zyrës së Kryeministrit, shkruan KOHA.
Gërvalla ka deklaruar se këtë takim e ka zhvilluar bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe atij për Punë, Familje dhe Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ku është kërkuar që secili në fushëveprimin e vetë të verifikojë faktet e detajet.
“Para së gjithash duhet të kuptojmë çfarë ka ndodhur. Çfarë informacioni kanë pasur institucionet, si është vlerësuar rreziku, cilat masa janë ndërmarrë dhe nëse janë përmbushur të gjitha detyrimet ligjore për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së viktimës. Këto pyetje kërkojnë përgjigje të bazuara në fakte. Pikërisht për këtë arsye reagimi ynë nuk duhet të jetë i kufizuar në deklarata publike. Menjëherë pas rastit, në cilësinë time si koordinatore kombëtare kam kërkuar informacion zyrtar nga Policia e Kosovës me qëllim të sqarimit të rrethanave të rastit dhe veprimeve të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse përfshirë trajtimin e mundshëm të raportimeve të mëparshme. Në një takim të jashtëzakonshëm ndër-institucional bashkë me ministrin Sveçla dhe Hoti kemi takuar përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të Qendrave për Punë Sociale dhe të Zyrës së Kryeministrit, dhe kemi kërkuar që urgjentisht secili në fushëveprimin e vetë të verifikojë faktet dhe detajet. Të them të drejtën nga ky takim nuk dolëm me ndjenjën që institucionet e thirrura për të mbrojtur Arlindën nga dhuna, e kanë kryer në plotëni detyrën e tyre konform ligjit dhe përgjegjësive të tyre”, ka deklaruar Gërvalla.



