
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim duke kërkuar zbardhjen e çdo përgjegjësie.
Kurti ka thënë se e mbështet iniciativën për themelimin e një komisioni parlamentar që heton dhe zbardhë çdo dështim të mundshëm institucional për këtë rast, derisa propozoi edhe dy ndërhyrje për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë.
“Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete – të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale përfshirë zbatimin policor të udhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike. Gjithashtu brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast”, ka thënë Kurti.



