Haradinaj i reagon avokates së Arlinda Zekajt: Pse nuk u ngritur këto sheqetësime para tragjedisë?

Daut Haradinaj, ish-deputet i AAK, ka reaguar në lidhje me pretendimet e avokates së Arlinda Zekajt, e cila u vra dje.

Haradinaj ka mohuar pretendimet.

Tutje, ai ka vlerësuar se për pretendimet e tilla duhet të reagojë edhe Oda e Avokatëve.

Postimi i plotë:

Ngjarja e rëndë e mbrëmshme në Pejë, ku iu mor mizorisht jeta një nëne, Arlinda Zekajt, sot më së paku ka nevojë për moral politik e parlamentar. Ka nevojë për llogaridhënie të drejtpërdrejtë, shkarkime dhe ndëshkime.

Kushdo që e lidh dorasin me njerëz të fuqishëm, duke u thirrur në presupozime se gjoja ka pasur krahë të fortë dhe se askush nuk ka mundur t’i bëjë asgjë, duhet ta kuptojë se heshtja, tolerimi dhe mosveprimi përballë rasteve të tilla mund të ju bëjnë bashkëfajtorë në një krim që mund të ishte parandaluar.

Sa i përket avokates që ka përfaqësuar Arlinda Zekajn, shtrohet pyetja: Pse nuk u ngritën këto shqetësime dhe nuk u kërkua reagim institucional para se të ndodhte kjo tragjedi? Nëse ka pasur pretendime se dorasi gëzonte mbrojtje apo ndikim për shkak të lidhjeve me familjen Haradinaj, këto pretendime duhej të trajtoheshin me përgjegjësi dhe përmes rrugëve institucionale, përpara se të ndodhte një tragjedi e tillë. Po ashtu, Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të reagojë ndaj deklarimeve të tilla dhe të sqarojë çdo çështje që bie në përgjegjësinë e saj profesionale.

Fotografitë edhe me Zotin nëse i ke, nuk e arsyetojnë këtë krim makabër. Askush nuk mund ta përdorë mbiemrin Haradinaj për të krijuar përshtypjen se dikush është i paprekshëm.

Nuk është hera e parë që përballemi me tentativa të tilla, duke na veshur me afera si Pandora, çështje pronash e akuza për banditizëm, të cilat faktikisht kanë rezultuar të jenë fabrikime. Familja ime dhe mbiemri Haradinaj nuk janë mburojë për askënd, përveç asaj që kemi mbrojtur gjithmonë: lirinë dhe institucionet e Kosovës. Vetëm këto të dyja i mbrojmë.

Dështimi i shtetit për t’i mbrojtur gratë që bëhen viktima të dështimit katastrofal të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë është krim mbi krim.

Kushdo që e përmend mbiemrin tonë pa asnjë fakt, do të përballet me pasoja ligjore. Po ashtu, kushdo që mendon se mund të kërcënojë dikë duke u thirrur në këtë mbiemër, do të përballet me të njëjtat pasoja. Dhe, në fund, kushdo që ndihet i kërcënuar për shkak se dikush ka çfarëdo lloj lidhjeje me ne, le të na kontaktojë drejtpërdrejt.

Lufta me armë për ne përfundoi në vitin 1999. Që nga ajo ditë, e vetmja luftë që kemi është ajo për sigurinë e çdo qytetari të Kosovës, për sovranitetin e saj dhe për të ardhmen e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.