
Kryeministri kritikoi ashpër vendimet e Gjykatës, duke thënë se rrëzimi i ligjit për çmimet tavan dëmtoi familjet më të varfra.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar atë për pengim të masave sociale dhe hipokrizi në vendimet e saj.
Në fjalimin me temë “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”, Kurti u ndal te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar ligjin mbi “çmimet tavan” për produktet bazike si buka, mielli, vaji dhe produktet e higjienës.
Sipas tij, Gjykata e anuloi këtë masë “nën pretekstin e shkeljes së parimeve të tregut të lirë”, duke i shkaktuar dëm të madh familjeve më të pambrojtura.
Kreu i qeverisë e quajti vendimin e Gjykatës Kushtetuese “hipokrit”, duke theksuar se i njëjti institucion, pak muaj më parë, kishte vendosur që pagat e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë publikë të mos përcaktoheshin nga tregu, por të konsideroheshin si të drejta të garantuara.
“Gjykata, e cila insiston kaq shumë për tregun e lirë kur bëhet fjalë për familjet e varfra, nuk e ndjen të njëjtën gjë për pagat e tyre të larta,” deklaroi Kurti.



