
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, duke e cilësuar vendimin si një tjetër padrejtësi.
“Edhe një padrejtësi, edhe një arsye më shumë për të ngritur seriozisht çështjen e drejtësisë që po administrohet në emër të Kosovës”, ka shkruar Limaj.
Sipas tij, drejtësia nuk kufizohet vetëm në shpalljen e një aktgjykimi, por kërkon paanshmëri, integritet, barazi ndërmjet palëve dhe zbatim të standardeve të njëjta për të gjithë.
“Çdo proces gjyqësor duhet të garantojë të drejtën e mbrojtjes, shqyrtimin e paanshëm të provave dhe respektimin e plotë të standardeve të një gjykimi të drejtë”, ka deklaruar ai.
Limaj ka kërkuar që institucionet e Kosovës të mos qëndrojnë si spektatore përballë zhvillimeve në Gjykatën Speciale. Ai ka bërë thirrje që Kuvendi të veprojë dhe të hapet debat për mandatin dhe të ardhmen e kësaj gjykate.
“Kuvendi duhet të veprojë, ligji duhet të rikthehet në fuqi dhe duhet të hapet një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e kësaj Gjykate”, ka theksuar Limaj.
Ai ka përfunduar duke thënë se Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, dinjitet dhe institucione që i mbrojnë interesat shtetërore.



