
Nënkryetari i LDK-së kritikon Kurtin dhe partinë e parë për deformim të frymës kushtetuese, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë
Në prag të skadimit të masës së përkohshme, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është shprehur optimist se Gjykata Kushtetuese do të sjellë një vendim të qartë që pasqyron frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë vendim të qartë, e ka interpretu kërkesën specifikisht të grupit të deputetëve dhe e ka përkthy frymën kushtetuese në vendime për të gjithë ne dhe institucionet e Kosovës. Kështu që unë pres me qenë vendim i qartë e i cili e konfirmon frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, LDK ka me respektu,” tha Haziri për IndeksOnline.
Ai kritikoi faktin që vendime të rëndësishme politike po i lihen interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur këtë “dobësinë më të madhe” të partisë së parë politike. Sipas tij, që nga 9 shkurti, partia fituese nuk ka zbatuar rezultatin e zgjedhjeve, por e ka deformuar frymën e Kushtetutës për interesa të veta politike.
“Partia e parë, me vetë faktin që prej 9 shkurtit deri sot nuk e ka zbatu rezultatin e zgjedhjeve, duke qenë parti e parë, e cila ka obligime dhe përgjegjësi, po është edhe parti që ka korr rezultatin më të mirë në zgjedhje, e bën të qartë se frymën kushtetuese po e deformon në zbatim, po e interpreton në mënyrën siç dëshiron dhe jo ashtu siç është. Nuk mundet me interpretu sipas dëshirës, por duhet me lexu dhe me interpretu ashtu siç është ndërtu fryma e Kushtetutës,” theksoi Haziri.
Ai theksoi se bashkëpunimi është obligim kushtetues dhe se vonesat e vazhdueshme po e mbajnë vendin në “terr politik”. Haziri kërkoi që Kuvendi të konstituohet sa më parë dhe të fillojë funksionimi institucional, në mënyrë që të hapet rruga për formimin e qeverisë.
“Është me rëndësi që këtë fazë duhet të quhet i konstituuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, të fillon me i ndërtu trupat funksionale, agjendën, planin legjislativ dhe komisionet parlamentare. Pas kësaj, Kushtetuta ia jep të drejtën partisë së parë që me marrë mandatarin dhe me ndërtu qeverinë. Dihet saktë rruga dhe afatet. Por është e padurueshme ecja nëpër terr politik prej 9 shkurtit e deri sot që z. Kurti dhe partia e tij ia kanë shkaktuar Kosovës,” përfundoi Haziri.



