Abdixhiku kundërshton Buxhetin e vitit 2027: Me ndihma e pa investime, kurrë nuk do të kemi zhvillim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027, duke thënë se orientimi kryesisht drejt pagave, shtesave dhe ndihmave sociale, pa investime të mëdha kapitale, nuk mund t’i sigurojë Kosovës zhvillim ekonomik.

Në fjalimin e tij në Kuvend, Abdixhiku tha se e kupton nevojën e qytetarëve për mbështetje financiare, por paralajmëroi se një shtet i mbështetur kryesisht në ndihma do të vazhdojë të mbetet i fundit në Evropë.

“Me shtet social dhe pa investime, nuk kemi për të pasur kurrë jetë të mirë në Kosovë. Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë në ekonomi, shëndetësi, arsim, teknologji dhe standard të jetesës”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, ndihmat mund të ndikojnë në rritjen e kërkesës dhe të çmimeve, duke krijuar një cikël në të cilin qytetarët do të kenë vazhdimisht nevojë për mbështetje të re nga shteti.

Ai tha se LDK-ja mbështet rritjen e pagave dhe synon koeficientin 150, por se investimet duhet të jenë shumëfish më të larta.

“Po, mund të bëhen të dyja: edhe ndihma, edhe investime. Por fillimisht duhet shumë më shumë investime sesa ndihma. Kjo duhet të jetë politika e vendit më të varfër në Evropë”, tha kreu i LDK-së.

Abdixhiku kërkoi investime në energjetikë, duke theksuar se Kosova vazhdon të shpenzojë qindra miliona euro për importimin e energjisë, ndërsa kapacitetet ekzistuese prodhuese janë të vjetruara.

“Centralet tona janë të vjetra. Njëri është ndërtuar më 1964, para se njeriu të zbriste në Hënë, ndërsa tjetri më 1982. Na duhen kapacitete të reja energjetike”, deklaroi ai.

Ai kritikoi edhe zvarritjen e projekteve infrastrukturore, duke thënë se të gjitha rrugët kryesore të Kosovës mund të përfundohen brenda një mandati.

“Me analiza ministrore nuk bëhen rrugët. Ato bëhen me para dhe me një ekip që qëndron në terren, ditë e natë, në kantier”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së kërkoi gjithashtu investime në arsimin gjithëditor, teknologji dhe turizëm. Sipas tij, me strukturën aktuale ekonomike, Kosovës do t’i duhen rreth 80 vjet për ta arritur mesataren e Bashkimit Evropian.

Duke folur për turizmin, Abdixhiku përmendi Brezovicën, duke thënë se Kosova nuk ka arritur ta ndërtojë asnjë kompleks të madh turistik gjatë 28 vjetëve të lirisë.

“Jepuni njerëzve të Kosovës zhvillim dhe nuk do të kenë nevojë për ndihma. Kosovarët janë punëtorë, krijojnë, ndërtojnë dhe bëjnë mrekulli. Jepuni mundësi dhe krijoni ëndrra të mëdha për ta”, deklaroi ai.

Abdixhiku tha se Kosova mund t’i sigurojë rreth tre miliardë euro kredi të buta për investime, pasi borxhi publik, sipas tij, është rreth 19 për qind e bruto-produktit vendor dhe mund të rritet deri në kufirin prej 40 për qind pa e rrezikuar stabilitetin ekonomik.

Ai e relativizoi edhe rritjen e buxhetit nga katër në 4.3 miliardë euro, duke thënë se rritja prej shtatë për qind zhvlerësohet nga inflacioni vjetor në të njëjtën shkallë.

“Vlera e 4.3 miliardë eurove sivjet është e njëjtë me katër miliardët e vitit të kaluar. Mund të jemi në numra më të mëdhenj, por mbesim në vlerë të njëjtë”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së shprehu shqetësim edhe për deficitin tregtar, i cili, sipas shifrave të prezantuara prej tij, ka arritur në gjashtë miliardë euro, nga 2.5 miliardë sa ishte gjashtë vjet më parë.

Ai përfundoi duke thënë se Kosovës i nevojitet rritje ekonomike prej shtatë deri në tetë për qind dhe një ndryshim rrënjësor i modelit ekonomik.

“Me ndihma, pa investime, nuk bëhet një ekonomi. Ajo shterret, sepse edhe ndihmat kanë nevojë për një ekonomi që i financon. Kosova ka nevojë për investime. Ky buxhet dhe kjo mendësi, fatkeqësisht, nuk i kanë ato”, përfundoi Abdixhiku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.