
Alban Krasniqi ka reaguar pas mbledhjes së Partisë Demokratike të Kosovës, duke ngritur akuza të rënda ndaj personave që shihen pranë ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku.
Sipas Krasniqit, mjafton të shihet se kush qëndronte në të dyja anët e Çitakut gjatë mbledhjes për të kuptuar, siç pretendon ai, ndikimin e bashkëpunëtorëve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, brenda PDK-së.
“Nga mbledhja e PDK-së mjafton me pa kush po i qëndron Vlorës majtas dhe djathtas për ta kuptuar që bashkëpunëtorët e rrjetit kriminal të Përparim Ramës ua kanë kapur edhe partinë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka pretenduar se të njëjtët persona, gjatë protestave të organizuara në mbështetje të UÇK-së dhe kundër proceseve në Hagë, i nxisnin veteranët dhe bashkëpartiakët të protestonin, ndërsa vetë zhvillonin takime me Përparim Ramën.
“Bash të njëjtit, në kohën kur ditën i nxitnin ca veteranë e bashkëpartiakë në protesta gjoja për UÇK-në, ligjin dhe Hagën, natën protestuesve ua lëshonin muzikën patriotike në shesh, kurse vetë mblidheshin me Perpin në lokalet luksoze të Uranit dhe bënin plane e biznes mbi hartën dhe buxhetin e Prishtinës”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka thënë se, sipas tij, kjo mënyrë e veprimit po vazhdon edhe sot.
“Edhe sot të njëjtën lojë ua luajnë”, ka përfunduar Krasniqi.
Për pretendimet e tij, Krasniqi nuk ka paraqitur dëshmi në reagimin e publikuar, ndërsa personat e përmendur nuk janë deklaruar.



