Kurti shkruan opinion për mediumin ukrainas “Kyiv Post”: Zelensky duhet ta njohë Kosovën

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka shkruar një opinion për Kyiv Post, medium i njohur në Ukrainë, ku ka kërkuar njohjen e Kosovës.

Në opinion e titulluar “Ukraina duhet ta njohë Kosovën”, Kurti ka argumentuar pro njohjes së Kosovës nga shteti ukrainas, i cili po lufton kundër pushtimit të Rusisë.

“Gabimi qëndron në trajtimin e të gjitha kërkesave për vetëvendosje sikur të ishin të barasvlershme nga pikëpamja juridike dhe politike. Por ato nuk janë të tilla. Njohja e Kosovës nuk krijon automatikisht një rregull që mund të zbatohet për çdo mosmarrëveshje territoriale në vende të tjera.

Secili rast duhet të gjykohet në bazë të historisë së vet, fakteve dhe, mbi të gjitha, veprimeve konkrete të shteteve të përfshira.

Pavarësia e Kosovës nuk ishte as e nxituar dhe as e pamenduar. Ajo ishte rezultat i një lufte dhe përpjekjeje të gjatë: aparteidit dhe shtypjes së shqiptarëve etnikë në ish-Jugosllavi, të pasuara nga lufta, spastrimi etnik dhe gjenocidi, pasi Serbia tashmë kishte kryer gjenocid në Bosnjë dhe kishte nisur një fushatë për të bërë të njëjtën gjë edhe në Kosovë.

Procesi i pavarësimit përfshiu gjithashtu negociata intensive dhe të gjata, të ndërmjetësuara nga Perëndimi” – ka shkruar Kurti, ndër të tjera, transmeton Gazeta Politika.

Tutje, Kurti ka hedhur poshtë argumentet e Vladimir Putinit, president i Rusisë, duke vlerësuar se Kosova nuk është precedent për politikën shoveniste të shtetit rus.

“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht atë rend ndërkombëtar që Ukraina e ka mbrojtur prej vitesh: një rend në të cilin historia nuk shërben si justifikim për pushtime, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe shteteve më të vogla nuk u mohohet e ardhmja nga shtetet më të mëdha” – ka theksuar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.