
Lista Studentore paralajmëron se do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, thotë se Serbia mbetet e detyruar t’i respektojë zotimet që ka marrë në dialog edhe pas ndryshimit të pushtetit.
“Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk i ndryshojnë bazat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe as detyrimet që kanë marrë përsipër palët”, tha një zëdhënës i BE-së në një deklaratë për REL-in pas fitores së Listës Studentore.
BE-ja pret që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog, t’i përmbushë detyrimet e saj dhe të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Që nga fillimi i dialogut më 2011, palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje për çështje si liria e lëvizjes, integrimi i gjyqësorit dhe i policisë, energjia elektrike, telekomunikacioni, njohja e diplomave dhe statusin e komunitetit serb në Kosovë.



