
Miratimi nga Kuvendi i Kosovës i vendimit të Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në sektorin e energjisë ka nxitur përplasje ndërmjet deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli.
Vendimi është votuar pas mesnatës nga deputetët e shumicës parlamentare dhe do të jetë në fuqi për 60 ditë.
Bajrami ka pretenduar se, përmes këtij vendimi, Kuvendi ka krijuar bazën për ndërprerjen e energjisë elektrike kurdo dhe kudo gjatë periudhës së masave emergjente.
“Nga sot reduktimet e energjisë lejohen edhe me vendim të Kuvendit”, ka shkruar ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, vendimi nuk e përmirëson furnizimin me energji, por mund t’i mbrojë KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet e shkaktuara nga ndërprerjet.
“Tash, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim. Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka përmendur edhe obligimin që “Ibër-Lepenci” të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por ka vlerësuar se kapaciteti i instaluar prej rreth 30 megavatësh nuk mund ta përmirësojë ndjeshëm furnizimin.
Bajrami ka pretenduar se vendimi do të përdoret për arsyetimin e reduktimeve, blerjen e energjisë duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik dhe kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK pa procedurat e zakonshme.
Ajo ka kujtuar se masat emergjente në sektorin energjetik ishin shpallur për herë të parë më 21 dhjetor 2021.
“Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente”, ka thënë Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar Qeverinë edhe për mungesën e kontratave afatgjata për blerjen e energjisë, dështimin e remonteve, moszbatimin e Strategjisë së Energjisë dhe mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese.
“Ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruese. Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet. Shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës s’kanë me i përballu faturat e energjisë”, ka paralajmëruar ajo.
Deklaratave të Bajramit u është përgjigjur deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, i cili e ka akuzuar atë për shpërndarje të propagandës.
“Një deputete paska filluar të shpërndajë propagandë. Mbrëmë u votua vendimi i Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë”, ka shkruar Kërçeli.
Ai e ka kritikuar Bajramin për mungesën në sallën e Kuvendit gjatë debatit dhe votimit, duke e pyetur përse nuk kishte qëndruar për ta kundërshtuar vendimin drejtpërdrejt.
“E nderuar deputete, pse nuk qëndrove në sallë për të debatuar rreth këtij vendimi? Apo arsyeja është se angazhimin tuaj në Kuvend e keni kthyer në një lloj korrespondence, të cilës i kushtoni vëmendje vetëm kur keni kohë të lirë. Dhe këtë qytetarët e kanë kuptuar më së miri”, ka deklaruar deputeti i VV-së.
Kërçeli ka thënë se opozitarizmi duhet të bëhet përmes pjesëmarrjes dhe debatit në Kuvend, pavarësisht orarit të seancës.
“Opozita nuk bëhet përmes korrespondencës, por me konsistencë dhe përkushtim. Duke qëndruar në sallë, duke debatuar dhe duke i mbrojtur qëndrimet tuaja, pse jo, edhe deri në orën 02:00 pas mesnate”, ka përfunduar ai.



