“Dëm i madh për kulturën”, kundërshtohet kalimi i Institutit Albanologjik nën Universitetin e Prishtinës

Qeveria e Kosovës ka finalizuar Programin për Racionalizimin e Agjencive, përmes të cilit planifikohet ndryshimi i statusit të disa institucioneve shkencore, arsimore dhe publike, shkruan Gazeta Politika.

Sipas dokumentit, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” parashihet të integrohen në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku do të funksiononin si institute kërkimore-shkencore në nivelin qendror të Universitetit.

“Propozimi i miratuar në grupin punues dhe i dakorduar me Ministrinë është që Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë ‘Ali Hadri’ të integrohen në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si institute kërkimore-shkencore në nivel qendror të Universitetit”, thuhet në dokument.

Drejtuesit e dy instituteve kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni për këtë nismë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Fadil Grajçevci, ka kundërshtuar ndryshimin e propozuar, duke paralajmëruar se ai do ta cenonte autonominë e institucionit.

“Për mua një ‘racionalizim’ i tillë, që e cenon rëndë autonominë e Institutit, të mbrojtur me shumë sakrifica në vitet më të vështira të Kosovës, nën sundimin e Serbisë millosheviqiane, është i papranueshëm. Me një veprim të tillë kjo qeveri, nëse vërtet do t’i hyjë kësaj aventure, do t’i bëjë dëm të madh kulturës sonë dhe shkencave albanologjike në veçanti”, ka deklaruar Grajçevci për KOHA.

Drejtoresha e Institutit të Historisë, Teuta Shala për KOHA, ka thënë gjithashtu se nuk ishte informuar për këtë zhvillim, por nuk e ka komentuar ndryshimin e mundshëm të statusit të institucionit.

Programi parasheh që në kuadër të Universitetit të Prishtinës të përfshihet edhe Qendra e Studentëve, si njësi e veçantë përgjegjëse për akomodimin, ushqimin dhe shërbimet e tjera për studentët.

Ndryshime janë paraparë edhe për Institutin Pedagogjik të Kosovës, i cili do të integrohej në Qendrën Kombëtare për Zhvillimin e Arsimit si njësi për analiza dhe hulumtime. Sipas dokumentit, personelit do t’i garantoheshin titujt shkencorë.

Ndërkaq, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve nuk do të funksiononte më me administratë të veçantë, pasi funksionet e tij parashihet të kalojnë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.