
Besian Mustafa, deputet i LDK-së, ka folur në lidhje me deklarimin kundërthënës të Xhavit Haliti, ish-deputet i PDK-së, i cili tha se Mustafa e di se kush ia vrau babain, për ta ndryshuar mendimin brenda pak sekondave, pasi shtoi se “ose nuk e di”, shkruan Gazeta Politika.
Mustafa ka deklaruar se është e parëndësishme deklarimi i Halitit.
Tutje, Mustafa ka theksuar se i gjithë populli i Kosovës pret drejtësi nga gjykatat vendore për vrasjen e Xhemail Mustafës, aktivist politik i LDK-së dhe ish-këshilltar i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Me sa pashë pastaj të raportuar nëpër media, pas pak sekondash kishte thënë ndoshta edhe nuk e di. Për në fund të ditës, kjo është e parëndësishme. E rëndësishme është se unë për babain dhe i gjithë populli i Kosovës për vrasjen e Xhemail Mustafës kërkon e pret drejtësi nga gjykatat vendore, e jo nga studio televizive, e aq më pak nga Xhavit Haliti” – tha Mustafa, transmeton Gazeta Politika.
Mustafa u vra me 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, ndërsa vrasja e tij mbetet ende e pazbardhur nga drejtësia.



