
Dëshmitari Covey në Hagë: Thaçi nuk ishte shef i Çekut, nuk i kam parë të japin urdhra njëri-tjetrit.
Dëshmitari James Peter Covey ka deklaruar në Gjykatën Speciale në Hagë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka qenë shef i Agim Çekut dhe se nuk i ka parë asnjëherë duke i dhënë urdhra njëri-tjetrit.
Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, Covey ka thënë se marrëdhëniet mes Thaçit dhe Çekut dukeshin korrekte, por gjithashtu të rezervuara.
“Absolutisht jo. Sipas asaj që kam parë ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin. Nuk më kujtohet nëse kanë shkëmbyer fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sigurisht që nuk e kam parë asnjëherë njërin që të jepte urdhër ose udhëzime tjetrit. Dukej sikur silleshin me rezerva njëri me tjetrin”, ka deklaruar Covey.
Ai gjithashtu mohoi se ka parë ndonjëherë Agim Çekun të jetë udhëzuar nga Hashim Thaçi në lidhje me ndonjë çështje.



