
Ish-ministrja thekson se kompromisi mes partive do të hapte rrugën e pajtimit dhe bashkëpunimit politik, ndërsa zgjedhjet do të thellonin ndarjet.
Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se vendi ka nevojë për një qeveri kompromisi, në vend të zgjedhjeve të reja.
Në një postim në profilin e saj në Facebook, Tahiri ka theksuar se përmes kompromisit mund të fillojë një proces pajtimi dhe bashkëpunimi politik mes partive, ndërsa një proces i ri zgjedhor do të vazhdonte ndarjet dhe përplasjet që, sipas saj, kanë dëmtuar vendin gjatë këtij viti.
“Pse mendoj se na duhet një qeveri kompromisi dhe jo zgjedhje – sepse duke bërë kompromis nis një lloj pajtimi e bashkëpunimi mes partive politike, ndërsa nëse shkojmë në zgjedhje do të vazhdojnë ndarjet e mospajtimet dhe Kosova do ta vuaj edhe një dëmtim që tashmë e vuajti tash gati një vit”, ka shkruar Tahiri.
Sipas saj, një qasje bashkëpunuese është rruga më e dobishme për tejkalimin e krizës politike dhe për stabilitetin institucional të Kosovës.



