
Blerta Deliu, deputete e PDK-së, ka shkruar një status, në të cilin ka krahasuar qeverisjet e Hashim Thaçit, ish-kryeministër, dhe të Albin Kurtit, kryeministër në detyrë i Kosovës.
Deliu ka vlerësuar se në kohën e ish-kryeministrit Thaçi, studentët ndihmoheshin përmes politikave sociale.
Ndërsa, sipas Deliut, 100 eurot e ndara nga Kurti janë “mashtrim dhe manipulim për vota”, transmeton Gazeta Politika.
“Në periudhën e qeverisjes së Hashim Thaçit, studentët ndihmoheshin përmes politikave të përhershme sociale: mensa 15€, konvikti 20€.
Këto masa garantonin përballueshmëri dhe barazi në arsim. Studentët mund të studionin me dinjitet, pa u bërë barrë financiare për familjet e tyre.
Sot, për fat të keq, Qeveria kujtohet për studentët vetëm kur afrohen zgjedhjet. Ndihma e njëhershme prej 100 € tri ditë para votimeve nuk është politikë arsimore, është mashtrim dhe manipulim për vota” – ka shkruar Deliu, transmeton Gazeta Politika.



