
Reuten kërkon nisjen e menjëhershme të procesit të anëtarësimit, heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës dhe një qasje të re në dialogun me Serbinë.
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka rikonfirmuar mbështetjen e tij të fuqishme për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian, duke kritikuar vonesat e pajustifikueshme në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës. Ai kujtoi se Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e saj në dhjetor të vitit 2022, gjatë Presidencës Çeke të BE-së, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap për ta vënë procesin në lëvizje.
“Një nga hapat e rëndësishëm është që aplikimi i Kosovës për anëtarësim më në fund të vihet në proces. Nuk e përballoj dot faktin që ka mbetur në sirtar kaq gjatë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për këtë. Ne mund ta vazhdojmë procesin pavarësisht se disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën”, deklaroi Reuten për A2 CNN.
Eurodeputeti u shpreh optimist se Bashkimi Europian do të heqë shumë shpejt masat ndëshkuese ndaj Kosovës, sidomos tani që pritet të kthehen në detyrë kryetarët serbë në komunat veriore.
“Së pari duhet të hiqen masat ndaj Kosovës. Sipas meje, ato s’duhej të ishin vendosur fare. Por tani që shumë shpejt do të kemi kryetarë të rinj në komunat përkatëse, mendoj se ky është momenti që Komisioni dhe vendet anëtare t’i heqin sanksionet”, theksoi ai.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Reuten bëri thirrje për një momentum të ri dhe një qasje më efikase, duke theksuar se lidhja e tepruar e progresit në dialog me afrimin drejt anëtarësimit krijon hapësirë për bllokime, sidomos në dëm të Kosovës.
“Për dialogun, është e qartë se nevojitet një momentum i ri. Shpresoj që Komisionerja Kos dhe ndërmjetësi i ri, Peter Sorensen, të sjellin ndryshime në proces, sepse lidhja aktuale me anëtarësimin po e pengon Kosovën të ecë përpara drejt statusit të kandidatit dhe anëtarësimit”, u shpreh eurodeputeti.



