Hoxhaj: PDK-ja ka më së paku përgjegjësi për bllokadën institucionale të këtij viti

Ish-deputeti i PDK-së akuzon LVV-në për situatën politike dhe fton partitë ish-opozitare të bashkohen për ndryshimin politik.

Ish-deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se partia e tij ka më së paku përgjegjësi për bllokadën institucionale të këtij viti. Ai ka bërë me dije se PDK-ja nuk ka pasur partneritet as me partinë e parë (LVV) dhe as me partinë e tretë (LDK).

banner

Në emisionin “Interaktiv” në KTV, ai ka thënë se përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar e ka VV-ja.

“LVV-ja e asnjë subjekt politik nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë. Situata e 9 shkurtit, për dikë i cili për tërë mandatin ka qenë deputet, për mua ka qenë ëndrra më e keqe politike që mund ta shoh, kur i kam parë numrat në Kuvend të Kosovës, me premisën që askush nga ne — dhe ka qenë e drejtë — të mos bashkëpunohej me Listën Serbe. PDK-ja më së paku ka përgjegjësi gjatë këtij viti në raport me situatën politike në vend, meqë ne nuk kemi pasur partneritet as me partinë e parë as me partinë e tretë”, deklaroi Hoxhaj.

Ai ka vlerësuar se partitë ish-opozitare e kanë për detyrë t`i bashkojnë forcat për të larguar Albin Kurtin nga pushteti me votë të qytetarëve.

“PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë për detyrë që ta bëjnë ndryshimin politik duke pasur mbështetjen e qytetarëve. E kanë për detyrë t’i bashkojnë të gjitha energjitë në këtë vend me qëllim që të mos përsëritet situata të cilën e kemi parë në vitin 2025, kur në fakt ekzistenca e shtetësisë, demokracisë dhe kushtetutshmërisë është vënë në pikëpyetje. PDK-ja duhet të jetë sa më e hapur, të bisedojë me çdo subjekt politik, po ashtu edhe LDK-ja e AAK-ja”, është shprehur Hoxhaj.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.